Elbasan
I njohur si Scampa (Latinisht) ose si Il-Basan ( në Turqisht ‘kështjella’), Elbasani është një nga qytetet më të mëdha në Shqipëri. Ai shtrihet në veri të lumit Shkumbin, midis Maleve të Skënderbeut dhe Fushës së Myzeqesë, në Shqipërinë qendrore.
Elbasani u formua rreth kryqëzimit të dy degëve të Via Egnatia-s, një rrugë e rëndësishme romake që lidhte bregdetin Adriatik me Bizantin, dhe përfundimisht u zhvillua në një qytet të vërtetë të fortifikuar me një kështjellë romake me kulla. Duke marrë parasysh pozicionin strategjik gjeografik, qyteti ishte gjithmonë i prekshëm ndaj sulmeve,megjithatë pasi mbijetoi sulmet nga bullgarët dhe ostrogotët, vendi duket se ishte braktisur derisa ushtria osmane ngriti një kamp ushtarak kundër komandantit shqiptar Skënderbeut. Gjatë periudhës osmane, Elbasani u bë selia e Sanxhakut të Elbasanit, qendra e qytetërimit urban, dhe së shpejti u ndërtua kështjella e Elbasanit.
Me një histori prej rreth 2 mijë vjetësh dhe duke qenë kështjella më e madhe fushore në Shqipëri, kështjella e Elbasanit është një nga atraksionet më të vizituara nga turistët. Brenda mureve të saj gjenden disa monumente kulturore që tregojnë historinë e pasur të këtij qyteti, duke përfshirë këtu: Kullën e Sahatit, Xhaminë e Mbretit, Kishën e Shën Mërisë dhe hamamin e vjetër.
Për dashamirësit e natyrës, Elbasani ofron mundësi për të hyrë në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë me florën dhe faunën e paprekur, duke e bërë atë një vend ideal për aktivitete në natyrë, si shëtitje, kampe apo piknik. Vetëm 30 minuta larg qytetit, keni mundësinë të shihni 85 liqenet karstike piktoreske që ofron Belshi. Dhe për ata që kërkojnë aventura, Kanioni i Holtës është destinacioni i duhur, duke ju lënë pa fjalë me ujëvarat e vogla dhe ujin e kristaltë.
